Pas tryezës së rrumbullakët të suksesshme në Kukës, Projekti i Anti-diskriminimit i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështetën Ministrinë e Brendshme dhe Komitetin për Pakicat Kombëtare në organizimin e një tryeze tjetër, këtë herë në Derviçan (Dropull). Aktiviteti mblodhi anëtarë të komunitetit lokal, institucione publike dhe shoqërinë civile, së bashku me pjesëmarrës nga pakicat kombëtare greke, rome, egjiptiane, aromune dhe serbe. Tryeza synoi rritjen e ndërgjegjësimit mbi procesin e vet-identifikimit, i cili u mundëson individëve të deklarojnë zyrtarisht përkatësinë e tyre në një pakicë kombëtare.
Dhimitraq Toli, Kryetar i Bashkisë Dropull, përshëndeti pjesëmarrësit duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për të drejtat e pakicave dhe procesin e vet-identifikimit. Në fjalët e hapjes, Llazo Kuçuqi, përfaqësues i Pakicës Greke pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare, Paolo Lobba – Menaxher Programi pranë Këshillit të Evropës, dhe Milica Stojanovic nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, theksuan rëndësinë e kuptimit të të drejtave të pakicave, legjislacionit dhe procedurave përkatëse.
Pjesëmarrësit u njohën me rolin dhe punën e Komitetit për Pakicat Kombëtare përmes një prezantimi nga Arjan Lile, përfaqësues i Pakicës Egjiptiane, i cili nënvizoi vlerën e përfaqësimit dhe bashkëpunimit ndërkomunitar. Arlinda Lisha nga Ministria e Brendshme iu bashkua diskutimit duke shpjeguar se si puna e Komisionit për Njohjen e Pakicave Kombëtare ndihmon individët përmes procesit të njohjes zyrtare dhe vet-identifikimit.
Një pjesë kyçe e tryezës prezantoi mjetet praktike të zhvilluara së fundmi për të mbështetur procesin e vet-identifikimit, përfshirë një udhëzues dhe një fletëpalosje informuese. Hasimin Keci, përfaqësues i Pakicës Boshnjake në Komitet, shpjegoi se këto mjete janë të disponueshme në të gjitha gjuhët e pakicave kombëtare për të ndihmuar individët dhe organizatat të orientohen në procedurat përkatëse.
Tryeza krijoi gjithashtu hapësirë për diskutim të hapur, duke u mundësuar pjesëmarrësve të bëjnë pyetje, të ndajnë shqetësime dhe të shkëmbejnë mendime mbi procesin e vet-identifikimit dhe çështje të lidhura me të.
Kjo nismë mbështetet nga projekti “Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
