Back Hapet këndi i fëmijëve dhe furra e bukës në INP Burgu i Kumanovës, me mbështetje nga BE dhe Këshilli i Evropës

KUMANOVË 13 DHJETOR 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Hapet këndi i fëmijëve dhe furra e bukës në INP Burgu i Kumanovës, me mbështetje nga BE dhe Këshilli i Evropës

220 persona të privuar nga liria do të përfitojnë nga furra e re e bukës në INP Burgu i Kumanovës, ndërsa 90 fëmijë do të mund ta shfrytëzojnë këndin e fëmijëve, gjatë vizitave tek prindërit dhe të afërmit e tyre.

Furra e bukës dhe këndi i fëmijëve, me vlerë totale mbi €17,000 u siguruan përmes programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, projekti “Përforcimi i kapaciteteve të sistemit penitenciar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, si dhe INP Burgu i Kumanovës, i cili kontribuoi me ngjyrosjen e mureve të këndit të fëmijëve.

Steffen Hudolin, udhëheqës për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut, theksoi që avancimi i menaxhimit të burgjeve dhe mbikëqyrjes, si dhe profesionalizimi i kuadrit, duhet të jenë tema me prioritet, së bashku me mbrojtjen adekuate shëndetësore dhe luftimin e çdo lloji të keqtrajtimit. “Inaugurimi i sotëm është rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me institucionet e burgjeve në Maqedoninë e Veriut, drejt krijimit të një shoqërie më të sigurt dhe humane”, tha ai.

Për ta përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria dhe familjet e tyre, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës punojnë ngushtë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, drejt përmirësimit të trajtimit dhe rehabilitimit të të burgosurve, avancimit të mbrojtjes shëndetësore në burgje, si dhe përforcimit të mëtejshëm të Mekanizmit për Kontroll të Jashtëm.

Në ceremoninë e sotme, drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviq, tha se ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të Drejtorisë drejt përmirësimit të kushteve në burgje, në suazat e aktiviteteve të shumta që mbështeten nga Këshilli i Evropës.

Tanja Rakushiq-Haxhiq, udhëheqëse e Njësisë për Bashkëpunim në Çështjet Policore dhe Institucionet e Privimit të Lirisë, Këshilli i Evropës, nënvizoi që ky donacion e synon mbështetjen e re-integrimit të personave pas lirimit nga burgu. “Për më tepër se dhjetë vite, Këshilli i Evropës punon me autoritetet e Maqedonisë së Veriut për ta avancuar shpejtësinë e reformave të nevojshme, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të burgosurve, konform rekomandimeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve apo Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese”, tha ajo.

Këndi i fëmijëve në burgun e Kumanovës është i treti i këtij lloji në vend, pas atyre në burgun e Shtipit dhe të Prilepit, të hapur me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Kjo nismë e pasqyron përkushtimin e autoriteteve për zbatimin e rekomandimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, mbi nevojat e fëmijëve të prindërve të burgosur. Përveç pajisjeve të siguruara para dy vitesh për gjashtë ambulanta të burgjeve, janë organizuar trajnime të shumta, si dhe është hartuar Strategjia Nacionale Penitenciare dhe disa udhëzues të rëndësishëm.

 

NORTH MACEDONIA: Children’s corner and bakery oven inaugurated in Kumanovo Prison with EU and Council of Europe support