Back Avancimi i drejtësisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në pajtim me standardet evropiane në Maqedoninë e Veriut

SHKUP 14 DHJETOR 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Avancimi i drejtësisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në pajtim me standardet evropiane në Maqedoninë e Veriut

Bashkëpunimi i fuqishëm ndërmjet autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, Bashkimit Evropian, si dhe Këshillit të Evropës, i ka avancuar reformat në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë, si dhe të drejtave të njeriut gjatë viteve të fundit. Këto reforma janë kyçe për përmirësimin e jetës së njerëzve në Maqedoninë e Veriut – BE dhe Këshilli i Evropës e përsëritën përkushtimin e tyre për bashkëpunim në kuadër të programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Kjo u nënvizua sot në Shkup, gjatë Takimit të parë të Këshillit Drejtues të përfituesve, në kornizat e fazës së tretë të këtij programi. Në këtë takim morën pjesë përgjegjësit kryesorë dhe partnerët, të cilët i diskutuan rezultatet kryesore të projekteve që zbatohen në Maqedoninë e Veriut, si dhe planet për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm.

Në suazat e fazës së tretë të programit të paraparë për periudhën 2023-2026, BE dhe Këshilli i Evropës kanë ndarë pothuajse 4,8 milionë EUR për gjashtë projekte në Maqedoninë e Veriut, të cilët e synojnë afrimin e drejtësisë ndaj qytetarëve, mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve, avancimin e efektivitetit të luftimit të pastrimit të parave, si dhe mbështetjen e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së mediave, konform standardeve evropiane.  Programi do të vazhdojë t’i mbështesë partnerët lokalë në luftimin e diskriminimit, si dhe trafikimit me qenie njerëzore.

Në fjalimin e saj, zëvendës-ministrja e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Fatmire Isaki, e shprehu vlerësimin e saj për mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe të ekspertëve, që sigurohet përmes këtij programi. “Duke e ditur që Maqedonia e Veriut tashmë e ka përfunduar procesin e skriningut për negociatat e anëtarësimit në BE, është e rëndësishme të vazhdohet me thellimin e bashkëpunimit dhe fokusimin në rezultate të programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës”, tha ajo, duke theksuar se “qasja fleksibile dhe përfshirëse e këtij programi, ku angazhohen institucionet përfituese dhe palët e kyçura në realizimin e projekteve, në të gjitha gjashtë fushat, është kyçe në reformat kryesore në vend, në pajtim me standardet evropiane”.

Ambasadori Dejvid Gir, Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, deklaroi që “partneriteti mes BE-së dhe Këshillit të Evropës në Ballkanin Perëndimor po sjell rezultate, në aspekt të përcaktimit të standardeve, ndërtimit të kapaciteteve dhe këmbimit të ekspertizës. Ajo i përfshin institucionet e vendit, si dhe shoqërinë civile. Megjithatë, suksesi real varet nga niveli i zbatimit të standardeve, si dhe shfrytëzimit të kapaciteteve për promovimin e respektimit më të gjerë për të drejtat themelore, barazinë dhe sundimin e ligjit”.

Përmes Instrumentit Horizontal, Këshilli i Evropës, së bashku me Bashkimin Evropian dhe në partneritet të ngushtë me autoritetet nacionale, e mbështesin Maqedoninë e Veriut në procesin reformues, i cili e synon ndryshimin e qëndrueshëm”, tha Klaus Neukirh, drejtor i Drejtorisë për Koordinimin e Programeve të Këshillit të Evropës.

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” zbatohet në periudhën 2023-26, duke i mundësuar përfituesve që ta implementojnë agjendën e reformave në fushën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe përmbushjes së standardeve evropiane, që është prioritet edhe për procesin e zgjerimit të BE-së. Faza aktuale është e treta me radhe e këtij programi, me vlerë prej 41 mln EUR, prej të cilave 85% financohen nga Bashkimi Evropian, ndërsa 15% nga Këshilli i Evropës.

 

NORTH MACEDONIA: First Beneficiary Steering Committee Meeting of the third phase of the Horizontal Facility programme