Cilat janë mënyrat më efektive për ta trajtuar korrupsionin, nepotizmin, plagjiaturën dhe fenomenet e tjera negative të pranishme në sistemin e arsimit të lartë?
Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, një konferencë u organizua në Prishtinë, Kosovë* më 19 prill për të diskutuar përvojat dhe praktikat e mira që trajtojnë sjelljet e pahijshme akademike dhe standardet etike në arsimin e lartë.
Konferenca me titull "Etika, Transparenca dhe Integriteti në Arsimin e Lartë - Zgjidhjet e Brendshme për Sfidat Globale" mblodhi rreth 70 pjesëmarrës duke përfshirë ekspertë, personel akademik nga universitetet publike dhe private, studentë, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përfaqësues nga OJQ-të dhe aktorë të tjerë që punojnë në këtë fushë.
Folës kryesorë ishin: Zëvendësministri i Arsimit, Zëvendës Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë*, Kryesuesi i Sektorit Politik dhe Ekonomik të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë* /EUSR dhe Zëvendës Rektori i Universitetit të Prishtinës.
Konferenca u organizua në kuadër të Projektit të Mjetit Horizontal "Forcimi i integritetit dhe luftimi i korrupsionit në arsimin e lartë", një projekt që ka kontribuar tashmë në rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe përfshirjen e dispozitave specifike mbi kodet e sjelljes dhe standardet e etikës në arsimin e lartë.
Konferenca ua ofroi mundësinë studentëve dhe akademikëve që ta diskutojnë ndikimin e politikave dhe praktikave relevante në sistemin arsimor. U diskutuan edhe kornizat e politikave që përkrahin forcimin e kulturës së integritetit në mesin e studentëve, akademikëve dhe menaxherëve të lartë të institucioneve të arsimit të lartë.
Për më shumë informacion: Projektit të Mjetit Horizontal "Forcimi i integritetit dhe luftimi i korrupsionit në arsimin e lartë"
*Të gjitha referencat për Kosovën, qoftë për territor, institucione, ose popullsi, duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.