Back Përmirësimi i standardeve etike gjatë fushatës elektorale në Shqipëri dhe përgjegjësia e medias për të luftuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes

Tiranë 20 Mars 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Përmirësimi i standardeve etike gjatë fushatës elektorale në Shqipëri dhe përgjegjësia e medias për të luftuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes

Gjatë fushatave elektorale rreziku i përdorimit të gjuhës së urrejtjes në media rritet dhe debatet e nxehta politike mund të ndikojnë në normat dhe standardet etike të një shoqërie demokratike. Trajtimi i kësaj teme dhe diskutimi mbi sfidat dhe zgjidhjet për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe rolin e rëndësishëm të medias në këtë proces ishte fokusi kryesor i aktivitetit me temën “Fushata zgjedhore: standardet etike dhe roli dhe përgjegjësia e medias” organizuar sot në Tiranë, më 20 mars 2023 me mbështetjen e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal III” dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues nga partitë kryesore politike në Shqipëri, përfaqësues të medias, organe të barazisë dhe aktorë të shoqërisë civile për të shkëmbyer pikëpamjet dhe opinionet e tyre mbi monitorimin e financave të fushatës zgjedhore, luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, si dhe promovimin e standardeve etike gjatë fushatave elektorale.

lirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nënvizoi mungesën e dispozitave ligjore për rregullimin e sjelljes së mediave online dhe rrjeteve sociale gjatë fushatës zgjedhore dhe se legjislacioni shqiptar nuk ka asnjë rregull që t’i imponohet sjelljes së mediave sociale. Ndaj, ai nënvizoi që në kuadër të reformës së re zgjedhore edhe ky aspekt të gjejë zgjidhjen e vet. Edhe pse mediat online dhe rrjetet sociale, të cilat janë një risi, nuk e kanë rregulloren që duhet të kenë, kjo nuk i pengon partitë politike dhe Kuvendin e Shqipërisë të trajtojnë marrëdhëniet ndërmjet partive politike, fushatave zgjedhore dhe mediave sociale.   

Ambasadori Guido De Sanctis, nënvizoi se ndikimi i financimit të fushatës në mbulimin mediatik të zgjedhjeve nuk duhet të anashkalohet dhe se kandidatët me më shumë para mund të kontrollojnë potencialisht narrativën dhe të dominojnë në mbulimin mediatik të zgjedhjeve. Ai shtoi se OSBE-ja fuqimisht mbështet dhe inkurajon median në kryerjen e një monitorimi më të rreptë, profesional dhe etik mbi aktivitetin dhe transparencën e fushatës së garuesve zgjedhorë duke e mbajtur publikun të informuar mbi origjinën dhe gamën e fondeve të përdorura për qëllime elektorale.

Në fjalën e tij, Olsi Dekovi, Kreu në Detyrë i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian ndaj institucioneve shqiptare në iniciativat për shmangien e gjuhës së urrejtjes si promotore e ndasive, intolerancës dhe diskriminimit.  Ai nënvizoi se gjuha e urrejtjes gjatë fushatave zgjedhore ndikon dhe dekurajon qytetarët për të votuar, margjinalizon dhe nxit urrejtje mes grupeve të ndryshme të qytetarëve. Ndaj shoqëria civile dhe media kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e respektit, ndalimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit dhe dekurajimin e partive politike dhe kandidatëve në përdorimin e gjuhës së urrejtjes.  

Në fjalën e tij, Jean-Baptiste Le Bras, Zëvendës Kreu i Seksionit Politik në Delegacionin Evropian në Shqipëri, nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore në kuadër të integrimit të Bashkimit Evropian dhe rolin thelbësor të medias veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Ai shtoi se sfidat e ngrituar në këtë tryezë duhet të adresohen nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që proceset zgjedhore të arrijnë standardet e kërkuar.  

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësi të trajtojnë aspekte të rëndësishme mbi mënyrën se si të rritet ndërgjegjësimi përmes fushatave të informimit publik dhe rëndësia e programeve të edukimit të votuesve në këtë kontekst. Të gjitha këto kontribuojnë në luftën kundër dezinformimit dhe promovojnë lirinë e shprehjes, por në të njëjtën kohë synojnë të vendosin një vijë të hollë ndërmjet fjalës së lirë dhe gjuhës së urrejtjes sa herë që mund të bien në konflikt me njëra-tjetrën dhe mund të jenë të vështira për t’u balancuar.

Liria e shprehjes është e sanksionuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mbron qytetarët nga ndërhyrja në të drejtën e tyre për të shprehur lirisht mendimet e tyre. Kjo liri është thelbësore kur bëhet fjalë për procesin zgjedhor, megjithatë nuk duhet të shkaktojë gjuhë të urrejtjes që do të dëmtonte procesin zgjedhor, duke ndotur fushatën dhe debatin politik të nevojshëm që votuesit të bëjnë një zgjedhje të informuar.

Takimi u organizua me mbështetjen e projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri” pjesë e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.