Back Efektiviteti i hetimeve administrative dhe auditimeve të brendshme në luftën ndaj korrupsionit

Efektiviteti i hetimeve administrative dhe auditimeve të brendshme  në luftën ndaj korrupsionit

 

Lufta kundër korrupsionit është një prioritet i rëndësishëm kombëtar në forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo përpjekje kërkon një kuadër ligjor gjithëpërfshirës, autoritete publike të afta dhe një bashkëpunim efektiv ndërmjet institucioneve publike.

Në mbështetje të këtyre përpjekjeve, në data 5 dhe 6 korrik 2022, Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, trajnoi 42 zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme Anti-Korrupsion dhe Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit të Ministrisë së Drejtësisë mbi auditin e brendshëm dhe hetimin administrativ të korrupsionit. 

Dy ekspertë të Këshillit të Europës me përvojë praktike dhe ekspertizë të thelluar në fushën e anti-korrupsionit, paraqitën dhe diskutuan me pjesëmarrësit praktikat dhe qasjet më të mira mbi kryerjen e kontrollit të brendshëm dhe hetimeve administrative për të parandaluar dhe ndëshkuar në mënyrë efektive korrupsionin. Ekspertët e trajnimit theksuan rolin vendimtar të koordinatorëve kundër korrupsionit dhe kompetencat e tyre në kryerjen e vlerësimeve institucionale të riskut të korrupsionit, të cilat janë instrumenta të rëndësishëm në prioritizimin e veprimtarive të parandalimit të korrupsionit, por gjithashtu edhe në kryerjen e hetimeve administrative efektive të praktikave abuzive, që mund të shpien në korrupsion. 

Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit diskutuan mbi çështje të tilla si: ndarja më e mirë e informacionit ndërmjet institucioneve publike, qasja në bazat e të dhënave online dhe shfrytëzimi i mjeteve të teknologjisë së informacionit dhe mekanizmave të tjerë për një bashkëpunim të efektshëm ndër-institucional në kryerjen e hetimeve të suksesshme administrative të korrupsionit. I organizuar si një trajnim praktik, pjesëmarrësit patën mundësinë të prezantonin dhe të diskutonin gjerësisht shembuj konkretë nga puna e tyre e përditshme dhe rajoni nën këndvështrimin e perspektivës evropiane.

Në trajnim, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, Z. Gjergji Prabibaj vlerësoi asistencën e ofruar nga Këshilli i Evropës në përmirësimin e aftësive dhe kapaciteteve hetimore dhe audituese të Drejtorisë dhe të Rrjetit të Koordinatorëve Anti-Korrupsion, dy struktura të krijuara rishtazi për të parandaluar dhe ndëshkuar në mënyrë efektive korrupsionin në Shqipëri.

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të respektuar standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.

 

 

Tiranë 5-6 Korrik 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page