Back “Sistemi Elektronik i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave – parandalimi i korrupsionit nëpërmjet rritjes së transparencës së pasurive”

DEKLARATË PËR SHTYP
“Sistemi Elektronik i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave – parandalimi i korrupsionit nëpërmjet rritjes së transparencës së pasurive”

Vënia në zbatim e Sistemit Elektronik të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nga 1 janari 2022, parashikon një mekanizëm efikas për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën në deklarimin dhe publikimin e pasurisë së personave të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë.

Ky ishte një nga konkluzionet e tryezës të organizuar sot nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës - Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë të autoriteteve kryesore publike përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve kryesorë në këtë fushë. Në këtë takim u diskutua vënia në zbatim e Sistemit të ri Elektronik të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, vlera e shtuar që ky sistem sjell, si instrument lehtësues dhe forcues i kapaciteteve monitoruese dhe verifikuese të ILDKPKI në këtë fushë, por edhe si një mekanizëm frenues, të cilin autoritetet duhet ta përdorin plotësisht.

Inspektori i Përgjithsm i ILDKPKI, znj. Evgjeni Bashari theksoi rëndësinë e sistemit të ri elektronik në luftën kundër korrupsionit. “Sistemi u krijua si një përmbushje e detyrimeve ligjore dhe angazhimeve të marra në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, rekomandimeve të nxjerra nga Raport Progresi i Bashkimit Evropian dhe GRECO. Ky mekanizëm synon të forcojë regjimin e deklarimit dhe kontrollit të pasurisë, rastet e konfliktit të interesit, si dhe të rrisë transparencën e institucioneve publike”, tha znj. Bashari.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Sh.S.Znj. Lindita Nikolla vuri në dukje rëndësinë e procedurave të rishikuara së fundmi për deklarimin e pasurive dhe konfliktin e interesave që sapo kanë hyrë në fuqi. Ajo theksoi se krijimi i sistemit elektronik të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesave pranë ILDKPKI, i cili do të aksesohet në faqen zyrtare të Inspektoratit, është një hap përpara jo vetëm për rritjen e transparencës, por edhe për ngushtimin e hendekut në lidhje me shmangien e detyrimeve ligjore.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sh.T.Z. Luigi Soreca theksoi se sistemi i ri elektronik i deklarimit të pasurive dhe konfilktit të interesave që u prezantua sot është një mjet i rëndësishëm për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin midis politikanëve dhe zyrtarëve të lartë publikë. Sistemi i ri do të sigurojë më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri. 'Ndjekja e parave' do të jetë tani më efektive, së bashku me monitorimin nga shoqëria civile dhe media”, tha Sh.T.Z. Soreca.

Në fjalën e saj, Sekretarja Ekzekutive e GRECO-s dhe Shefja e Departamentit të Veprimit kundër Krimit të Këshillit të Evropës, znj. Hanne Juncher mirëpriti funksionalizimin e Sistemit Elektronik të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe kujtoi rekomandimet e GRECO-s kur bëhet fjalë për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit në qeverinë qendrore dhe në zbatimin e ligjit.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela, u ndal në rëndësinë e sistemit të ri elektronik në mbështetje të një hetimi më efikas të korrupsionit. “Standartizimi i futjes dhe përpunimit të të dhënave ndikon në hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve që lidhen me raportet e ILDKPKI-së apo hetimet për korrupsion dhe pastrim parash. Ky sistem mund të lehtësojë edhe zhvillimin e një metodologjie në lidhje me procedurat e hetimit administrativ dhe referimit në ndjekjen e veprave penale”, tha z. Çela. 

Zëvendësministrja e Drejtësisë znj. Adea Pirdeni nënvizoi se forcimi i regjimit të deklarimit dhe kontrollit të pasurisë së zyrtarëve publikë dhe rasteve të konfliktit të interesave është edhe Objektivi i 5-të i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, dhe një pjesë përbërëse e politikave parandaluese të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. 

Drejtorja i Misionit të USAID-it, znj. Mischere Kawas përmendi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në këtë proces, duke shtuar se arritja që po diskutojmë sot është një nga shembujt e koordinimit të suksesshëm të donatorëve në Shqipëri. “Ky progres i rëndësishëm është mundësuar falë një bashkëpunimi të shkëlqyer mes Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe USAID-it, të cilët kanë punuar krah për krah me ILDKPKI dhe kanë bashkuar përpjekjet drejt këtij rezultati”, tha znj. Kawas. 

Shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gützkow, u shpreh se sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesit nuk është as qëllim në vetvete dhe as një mekanizëm i pavarur. “Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të bërë përparim të mëtejshëm në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, tha znj. Gützkow.

I krijuar me mbështetjen e projektit të përbashkët të BE/KiE - Aksioni kundër Krimit Ekonomik dhe USAID-it, sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë do të kontribuojë në monitorimin efektiv publik të pasurisë së zyrtarëve duke thjeshtuar procesin e deklarimit dhe duke i bërë deklarimet publike në kohë reale. Sistemi ka një rëndësi strategjike për forcimin e mekanizmave hetimor/kontrollues të ILDKPKI-së me ndikim të madh në luftën kundër korrupsionit në të gjitha kategoritë e zyrtarëve që kryejnë funksione publike. Duke vënë në funksion sistemin e ri elektronik dhe duke siguruar përdorimin e plotë të tij, Shqipëria po zbaton një nga rekomandimet kryesore të raporteve të GRECO-s në luftën kundër korrupsionit.

Zhvillimi dhe prezantimi i Sistemit të ri Elektronik të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave u mbështet në kuadrin e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-21022", një nismë bashkëpunimi, e cila synon të ndihmojë institucionet përfituese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për të përmbushur standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian.

Tirana 28 Shkurt 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page