Back Autoritetet shqiptare aftësohen në zbatimin e rekomandimeve të grupit të shteteve kundër korrupsionit (GRECO) dhe në raportimin e progresit

Autoritetet shqiptare aftësohen në zbatimin e rekomandimeve të grupit të shteteve kundër korrupsionit (GRECO) dhe në raportimin e progresit

Vlerësimet dhe rekomandimet e organit monitorues të Këshillit të Evropës kundër korrupsionit, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO), janë instrumenta të rëndësishëm në avancimin e reformave ligjore dhe institucionale për parandalimin e korrupsionit. Për të mbështetur autoritetet shqiptare në ndjekjen dhe zbatimit e këtyre rekomandimeve, si dhe për të raportuar përpara GRECO-s, në 9 maj 2022, projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri trajnoi 34 zyrtarë shqiptarë.

 

Dy ekspertë të Këshillit të Evropës me përvojë të gjatë në GRECO - njëri si ish-President i tij dhe tjetri si ish-anëtar i Byrosë së tij - prezantuan dhe diskutuan me pjesëmarrësit praktikat dhe qasjet më të mira për të rritur përputhshmërinë me rekomandimet e GRECO-s. Pjesëmarrësve në trajnim iu dhanë shembuj praktik për të lehtësuar diskutimin dhe sqaruar tema të tilla si: raportimi efektiv për prezantimin e masave kundër korrupsionit si dhe informimi për arritjet e shënuara kundrejt rekomandimeve të GRECO-s. Ekspertët e trajnimit theksuan se si komunikimi dhe ndërveprimi i duhur me vlerësuesit e GRECO-s, si dhe me Sekretariatin e tij, mund të ndihmojë vendet në kuptimin dhe përmbushjen më të mirë të rekomandimeve të GRECO-s. Për të siguruar një nivel të kënaqshëm të zbatimit të këtyre rekomandimeve, ekspertët e trajnimit ftuan autoritetet shqiptare të hartojnë një plan veprimi për të përcaktuar treguesit specifikë, identifikuar institucionet përgjegjëse dhe për të vendosur afate të qarta kohore për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

 

Në këtë trajnim, Zëvendës Ministrja shqiptare e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni vlerësoi ndihmën e dhënë nga Këshilli i Evropës në përmirësimin e aftësive dhe kapaciteteve raportuese të delegacionit shqiptar në GRECO. Duke iu referuar rëndësisë së rekomandimeve të GRECO-s në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, znj. Pirdeni rikonfirmoi momentin e duhur të dhënies së një ndihme të tillë që do të përmirësojë kontributin e Shqipërisë në procesin e raportimit në GRECO.

 

Projekti kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë për të përmbushur kur është e nevojshme standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.

 

Tiranë 9 Maj 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page