Back Rinovimi i bashkëpunimit për rritjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri

Tiranë 15 Mars 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Rinovimi i bashkëpunimit për rritjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri

Përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Avokatura e Shtetit dhe organizatat joqeveritare, së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, u mblodhën në Tiranë për të rikonfirmuar angazhimin e tyre për bashkëpunim gjatë katër viteve të ardhshme, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri.

Aktorët bënë një bilanc të arritjeve gjatë fazës së mëparëshme të zbatimit të programit (2019-2022), duke i njohur projektit një kontribut të drejtpërdrejtë në reformën penitenciare në Shqipëri. Gjithashtu, rikonfirmuan nevojën urgjente për vazhdimësinë e nismave aktuale në fusha prioritare si psikiatria forensike, shëndeti mendor në burgje, rehabilitimi dhe riintegrimi i të dënuarve, lirimi progresiv si edhe rritja e kapaciteteve të stafit penitenciar. Bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile u theksua si po aq i rëndësishëm, veçanërisht në lidhje me asistencën pas lirimit dhe marrjen e mendimit nga vetë të dënuarit, duke siguruar kështu që nismat e asistuara nga projekti japin efekte pozitive në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të dënuarve. Më tej, palët ranë dakord për planin e aktiviteteve, duke përfshirë rolet dhe ndërhyrjet përkatëse, duke synuar përmirësimin e ofrimit të shëndetit mendor në burgje dhe rritjen e perspektivave të rehabilitimit për të dënuarit.

Projekti Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri është pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2023-2026.

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë" (Instrumenti Horizontal III) është një nismë bashkëpunimi e cila zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026.

Programi mbulon projekte në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet në procesin e zgjerimit të BE-së.

Faza e tretë e programit kap vlerën prej 41 milionë euro (85% financohet nga Bashkimi Evropian, 15% nga Këshilli i Evropës).

Kjo faqe interneti u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit(ve). Pikëpamjet e shprehura këtu nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë se pasqyrojnë opinionin zyrtar të Bashkimit Evropian apo të Këshillit të Evropës.

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.