Instrumenti Horizontal synon të avancojë luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe luftën kundër krimit mjedisor, duke përfshirë masa për të adresuar transparencën e financimit të partive politike, sistemet e deklarimit të pasurisë, vlerësimet kombëtare të rrezikut dhe zhvillimin e kapaciteteve të njësive të inteligjencës financiare.

Back Përmirësimi i njohurive të prokurorëve dhe hetuesve shqiptarë mbi analizën financiare dhe hetimin me burim të hapur

Shqipëri 17-18 Nëntor 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Përmirësimi i njohurive të prokurorëve dhe hetuesve shqiptarë mbi analizën financiare dhe hetimin me burim të hapur

Nisma e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri, organizoi trajnimin mbi “Analizën financiare dhe përdorimin e hetimit me burim të hapur”. 27 prokurorë, hetues dhe oficerë të policisë gjyqësore nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit morën pjesë në këtë aktivitet.

Qëllimi i trajnimit ishte përmirësimi i njohurive, të kuptuarit dhe aftësive të pjesëmarrësve për të aplikuar mjetet dhe teknikat e duhura për hetimin financiar, duke përfshirë analizën e të dhënave financiare dhe përdorimin efektiv të inteligjencës me burim të hapur.

Tre ekspertë të Këshillit të Evropës ndanë përvojën dhe njohuritë e tyre në lidhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira në këtë fushë, duke u fokusuar në planifikimin e një hetimi financiar, ndërtimin e një strategjie hetimi dhe prioritizimin e përdorimit të teknikave të përshtatshme të hetimit. Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, ekspertët theksuan rolin e informacionit me burim të hapur dhe burimeve të tjera që do të përdoren në zhvillimin e inteligjencës për të mbështetur një hetim financiar efektiv. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan metodat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të provës dhe përdorimit të provave elektronike për vërtetimin e përfitimit financiar, që është një komponent kyç i hetimit financiar.

Bashkëpunimi me Shkollën e Magjistraturës ofroi njohuri lokale mbi zbatimin e legjislacionit vendas dhe sfidat praktike me të cilat përballen agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit në përdorimin e mjeteve dhe teknikave të inteligjencës me burim të hapur për hetimin efektiv të krimeve financiare.

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të respektuar standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.