Back KOMUNIKIM PËR MEDIAT: Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës prezantojnë në Prishtinë fushatën lokale “Blloko urrejtjen; Fal dashni!”

KOMUNIKIM PËR MEDIAT: Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës prezantojnë në Prishtinë fushatën lokale  “Blloko urrejtjen; Fal dashni!”

PRISHTINË, 28 tetor 2021 - Askush në shoqërinë tonë nuk duhet të qëndrojë i heshtur përballë formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes, pasi ne të gjithë kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën kundër diskriminimit, përmes kundërshtimit të narrativave të urrejtjes ndaj komuniteteve vulnerabël.

Kjo u nënvizua në aktivitetin prezantues të nisjes së fushatës së përbashkët ndërgjegjësuese të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal dashni!”, që u mbajt sot në sallën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.  

Veprimtaria u hap nga Z. Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, i cili përshëndeti pjesëmarrësit që iu bashkuan ngjarjes online dhe personalisht. Në fjalën e tij ai theksoi se “Urrejtja mund të luftohet duke thyer paragjykimet që kemi për të tjerët, duke transformuar dallimet në elementë pasurues për shoqërinë tonë. Kjo, duke u bashkuar, në vend që të krijojmë mure...”

Sh.T Kryeministri Albin Kurti, foli në këtë ngjarje duke theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e fushatave të tilla, për emancipim dhe ndërgjegjësim drejt arritjes së një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë. “Zgjedhjet që bëjmë në jetë janë me të vërtetë përgjegjësia jonë, por askush nuk duhet të vuajë mungesën e lirive dhe të drejtave, e as të  mundësive. Mundësitë e barabarta vijnë jo vetëm nga garantimi i lirive dhe të drejtave, por edhe nga ofrimi i shaneve të barabarta për sukses”, përfundoi Kurti.


Ambasadori Tomáš Szunyog – Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian / Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përshëndeti të pranishmit dhe rikujtoi të gjithë pjesëmarrësit për dëmet që gjuha e urrejtjes mund t'i shkaktojë çdo shoqërie. “Gjuha e urrejtjes është një formë serioze diskriminimi, që kërcënon të drejtat individuale të njeriut dhe rrezikon bashkëjetesën dhe tolerancën paqësore kolektive. Mos lejoni që dallimet tona të na ndajnë, le të na bashkojnë”, tha Ambasadori Szunyog.

 

Znj. Verena Taylor, Drejtore e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Evropës, përsëriti dëmin e gjuhës së urrejtjes në shoqëritë tona, veçanërisht për grupet më të cenueshme, duke konfirmuar nevojën për të reduktuar pranimin e gjuhës së urrejtjes si online ashtu edhe offline. “Ndonjëherë duhen veprime të thjeshta, si përdorimi i një gjuhe që respekton të drejtat e njeriut kur flasim me të tjerët rreth nesh, apo shmangia e ripostimit të materialeve të urrejtjes në mediat sociale”, theksoi Taylor.

Në fjalën e tij Avokati i Popullit z. Naim Qelaj i bëri jehonë kësaj lëvizjeje rajonale për sigurimin e një shoqërie të larmishme dhe të barabartë, duke u bërë thirrje gjithkujt që të refuzojë çdo formë të gjuhës së urrejtjes që diskriminon dhe cënon dinjitetin e njerëzve si dhe t'i përdorin fjalët si mjet për t’u bashkuar në solidaritet.

 

“Blloko urrejtjen. Fal Dashni!”, fushata e nisur sot në Prishtinë synon të informojë dhe edukojë shoqërinë dhe veçanërisht të rinjtë, për rolin që secili ka në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes që prek grupe dhe individë të veçantë në komunitetet tona lokale. Kjo lëvizje ndërgjegjësuese, e cila nisi dhjetorin e kaluar në nivel rajonal, tashmë po prezantohet në nivel lokal në të gjithë Përfituesit e Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga Prishtina. Fushata do të shtrihet në internet përmes kanaleve të dedikuara për mediat sociale, por edhe në paraqitjet në radio e TV, aktivitete publike dhe iniciativa sociale që përfshijnë figura të shquara publike, institucione dhe aktivistë në tregime personale, dëshmi dhe shkëmbimin e praktikave të mira që lidhen me promovimin e diversitetit dhe barazisë në rajon.

Ambasadorët Kundër Gjuhës së Urrejtjes, figura të shquara publike si Amina Kaja, Bajram Kinolli, Rinor Gashi dhe Uta Ibrahimi të cilët vendosën t'i përgjigjen thirrjes së kësaj fushate dhe të angazhohen aktivisht me kundër-narrativa dhe veprime, gjithashtu do t'i bashkohen dhe do të marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë lëvizje të përbashkët.

Fushata mbështetet nga aksioni “Promovimi i diversitetit dhe barazisë” zbatohet në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.
 

 

Për më shumë informata:

Alban Kastrati - Republika Marketing & Media Solutions - [email protected] / 049 17 17 17

Besnik Baka, Zyrtar për Komunikimin / Instrumenti Horizontal II - [email protected] /+355692178430)

Marija Simić, Koordinatore për Komunikimin  -  [email protected] / +38163601337

Prishtine 28 Tetor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page