Back Nis në Tiranë fushata kundër gjuhës së urrejtjes “Blloko urrejtjen. Fal dashuri!”

PRESS RELEASE
Nis në Tiranë fushata kundër gjuhës së urrejtjes “Blloko urrejtjen. Fal dashuri!”

Pjesëmarësit e fushatës së sotme të mbajtur në Tiranë kundër gjuhës së urrejtjes “Blloko urrejtjen. Fal dashuri!”, theksuan se një rritje shqetësuese e gjuhës së urrejtjes, qoftë ajo ‘ballë për ballë’, online apo në mediat tradicionale përbën një kërcënim serioz për kohezionin e shoqërisë sonë demokratike, veçanërisht për grupet dhe komunitetet vulnerabël. Kjo duhet të ndalet sepse të gjithë ne kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur.

Hapja e fushatës mblodhi opinionistë të shquar, aktivistë dhe përfaqësues të lartë të autoriteteve publike, të cilët ngritën zërin kundër gjuhës së urrejtjes dhe u zotuan të promovojnë një shoqëri të barabartë, pa urrejtje dhe diskriminim.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow hapi aktivitetin duke theksuar rëndësinë e luftimit të gjuhës së urrejtjes dhe lëvizjes drejt një shoqërie tolerante dhe të larmishme. Ajo e mbylli fjalën e saj me një mesazh të fortë: "Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve, pavarësisht nëse jeni këtu në dhomë apo jeni të lidhur on-line: Flisni kundër krimit të urrejtjes, kontribuoni pjesën tuaj për të ‘Bllokuar Urrejtjen’. ‘Falni dashuri’ në mënyrë që motoja "NE jemi NJË" të jetë kuptimplotë dhe relevante."

Kreu i Seksionit Politik në Delegacionin Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin theksoi rëndësinë e zbatimit në procesin e luftimit të gjuhës së urrejtjes. “Unë do të doja t'ju ftoja që të vazhdonim këtë luftë së bashku, të dënojmë rastet e gjuhës së urrejtjes, të raportojmë rastet e krimeve të urrejtjes dhe të mbështetemi tek njëri-tjetri për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, pa diskriminim, pa urrejtje dhe mundësi të barabarta për të gjithë."

Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Blerina Gjylameti foli në aktivitet duke u ndalur tek gjuha e ashpër e përdorur na arenën politike, përfshirë edhe në Parliament e cila nxit krijimin e një fryme konfliktuale. Ajo theksoi se partite politike por edhe media, duhet te shqyrtojnë realisht dhe jo vetëm ta kenë në letër atë që është kodi i sjelljes.

Në fjalën e saj, Vjollca Braho, Zëvendës-Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal tek promovimi i diversitetit dhe barazise në Shqipëri, qe eshte reflektuar ne nje sere dokumentash strategjike kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilat synojnë të arrijnë dhe të realizojnë sa më shumë drejtësi dhe barazi e të fuqizojnë të gjithë individët dhe shoqërinë për të gëzuar të drejta të barabarta.

Anisa Ruseti Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës u ndal tek Tirana - Kryeqyteti Evropean i Rinisë, ku të rinjtë nga Shqipëria, rajoni të mund ta përdorin këtë vit për të krijuar një rrjet miqësie mes të rinjve të tjerë evropianë e për të treguar më shumë rreth të drejtave të njeriut e mundësive të barabarta. 

Fabrizio Bucci – Ambasador i Italisë në Shqipëri, në emër të Presidencës Italiane të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në fjalën e tij ndau disa nga nismat kryesore të ndërmarra në kuadër të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe përpjekjeve për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin. Në fjalën e tij ai theksoi rëndësinë që Shqipëria, Italia, Këshilli i Evropës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të punojnë së bashku në politikat antidiskriminuese, bazuara në tolerancë dhe respekt.

Nisja e fushatës u moderua nga aktorja dhe aktivistja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea, e cila iu bashkua kësaj fushate si ‘Ambasadore kundër Gjuhës së Urrejtjes’, dhe u shoqërua nga një performancë unike muzikore nga "The Door Music Band", një grup artistësh me nevoja të veçanta.

Ermal Meta – Këngëtari, kanautori dhe ‘Ambasador kundër Gjuhës së Urrejtjes’, iu drejtua të pranishmëve me një videomesazh. “Ne kemi nevojë të njohim mirë gjuhën që përdorim dhe mbi të gjitha të zgjedhim me kujdes fjalët që përdorim. Ato i japin formë botës rreth nesh, i japin formë jetëve tona, i japin formë të ardhmes sonë.”, u shpreh Meta.  

Ambasadorët kundër Gjuhës së Urrejtjes’ si Aleks Seitaj - aktor dhe personazh televiziv; Izmir Smajlaj - Sportist Olimpik; Kamela Islamaj - Këngëtare, gjithashtu ndanë historitë e tyre, dhe mbështetën përpjekjet për një shoqëri të barabartë, pa diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes.

 Fushata “Blloko urrejtjen. Fal dashuri!” është një lëvizje ndërgjegjësuese e prezantuar në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar për të informuar dhe angazhuar komunitetet lokale në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes, duke synuar grupet dhe individët vulnerabël si personat LGBTI, emigrantët, njerëzit me nevoja të veçanta dhe pakicat etnike. Fushata do të vazhdojë në muajt e ardhshëm me një sërë ngjarjesh publike të promovuara përmes kanaleve ‘online’ (faqet e internetit dhe mediat sociale), por edhe në mediat kryesore.

Fushata zbatohet në kuadër të projektit “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri”, pjesë e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimorë dhe Turqinë 2019-2022”, një nismë bashkëpunimi që mbështet reformat në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, në përputhje me standardet evropiane dhe në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.

Për më shumë informacion kontaktoni:

Besnik Baka, email: [email protected]; tel. +355 692 17 84 30
Almir Kulla: email: [email protected];  tel. +355 674 00 99 56
 

 


For more information contact:

Besnik Baka, email: [email protected]; tel. +355 692 17 84 30
Almir Kulla: email: [email protected];  tel. +355 674 00 99 56
 

 

TIRANE 25 Mars 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page