Council of Europe Palais Strasbourg
Photo of EU Berlaymont Building in Brussels

Çfarë është Instrumenti Horizontal?

Programi i Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë" (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi dhe një nga rezultatet e Deklaratës së Synimit të nënshkruar më 1 prill 2014 nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, ku të dyja Organizatat ranë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre në fushat kryesore me interes të përbashkët.

Programi vazhdon që prej vitit 2016 teksa faza e tretë filloi në janar 2023. Faza e tretë e programit (me vlerë 41 milionë euro për periudhën 2023 - 2026) vazhdon të ndërtohet mbi rezultatet e fazave të mëparshme.

Faza e tretë e programit mbulon projekte në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi si dhe Turqi, duke përfshirë dimensionin rajonal. Mekanizmi për Koordinimin e Ekspertizës që ofron ekspertizë ligjore dhe këshillim mbi politikat brenda sistemit të Këshillit të Evropës mbetet një pjesë e rëndësishme e programit në dispozicion të të gjithë Përfituesve.

 

Sa do të zgjasë Instrumenti Horizontal III?

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

Çfarë do të bëjë Instrumenti Horizontal III?

Instrumenti Horizontal u mundëson Përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së. Instrumenti Horizontal mbështetet në metodat unike të punës të Këshillit të Evropës ku aktivitetet e përshtatura të bashkëpunimit teknik bazohen në konkluzionet dhe rekomandimet e organeve monitoruese të Këshillit të Evropës në fushat specifike ku nevojiten përmirësime në legjislacionin dhe politikat e Përfituesve për të qenë në përputhje me traktatet e Organizatës dhe standardet e tjera.

Temat e mbuluara nga Instrumenti Horizontal përfshijnë:

  • forcimin e drejtësisë;

  • luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave;

  • promovimin e anti-diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerabël (përfshirë komunitetin LGBTI, pakicat dhe romët) dhe

  • promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe medias.

Të gjitha temat janë prioritete kryesore të të dy organizatave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi.

Të gjitha projektet e Instrumentit Horizontal trajtojnë çështje ndërsektoriale si integrimi gjinor, mbrojtja e minoriteteve dhe e grupeve vulnerabël si dhe parashikojnë angazhimin e organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e tyre.

 

Si funksionon Instrumenti Horizontal III?

Projektet e ndërmarra në Përfituesit e Instrumentit Horizontal u hartuan në bazë të rekomandimeve të dala nga organet monitoruese dhe këshillimore të Këshillit të Evropës duke iu dhënë përparësi sipas nevojave në kuadër të negociatave të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Instrumenti Horizontal ndjek një qasje të dyfishtë, duke përfshirë asistencë teknike dhe këshilla ligjore/të politikave:

  • Asistenca teknike në kuadër të Instrumentit Horizontal bazohet në "trekëndëshin" e Këshillit të Evropës (KiE) të vendosjes së standardeve,  monitorimit dhe bashkëpunimit, i cili përfaqëson avantazhin krahasues më të fortë të Këshillit të Evropës. Si rrjedhojë, projektet që po zbatohen po trajtojnë mangësitë e identifikuara nga organet monitoruese/eksperte të KiE-së në lidhje me garantimin e drejtësisë, luftën kundër krimit ekonomik, luftën kundër diskriminimit dhe promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, me synimin për të mbështetur Përfituesit e Instrumentit Horizontal në përmbushjen e respektimit në rritje të standardeve evropiane. Veç kësaj, projektet e zbatuara synojnë të lehtësojnë progresin e para-anëtarësimit të përfituesve në lidhje me zbatimin e kapitujve 23 dhe 24, aty ku është e nevojshme. Kjo po bëhet përmes një sërë aktivitetesh si seminare trajnuese, vlerësime (p.sh. zbatimi i disa pjesëve të legjislacionit ose dokumenteve të politikave, rregullimet institucionale, kapacitetet operacionale të institucioneve të caktuara), mbështetje në hartimin e dispozitave/politikave të reja legjislative, dokumenteve / metodologjive, udhëzimeve / manualeve (etj.) dhe shkëmbime të praktikave të mira.

  • Mekanizmi i Koordinimit të Ekspertizës ofron ekspertizë brenda sistemit të Këshillit të Evropës për t'iu përgjigjur kërkesave për ekspertizë ligjore dhe këshilla mbi politikat në lidhje me sigurimin e drejtësisë, luftën kundër krimit ekonomik dhe luftë kundër diskriminimit, si dhe lirinë e shprehjes dhe të medias, dhe çështjet kushtetuese që bien brenda mandatit të Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit (i njohur si Komisioni i Venecias). Kjo bëhet në respekt të plotë të pavarësisë dhe specifikave funksionale të mekanizmave monitorues të Këshillit të Evropës dhe ofron një mbështetje kyçe për proceset e anëtarësimit në BE.

Partnerët kryesorë në përcaktimin dhe zbatimin e këtij programi përfshijnë - në varësi të temës - ministritë e drejtësisë, të brendshme, shëndetësisë, arsimit, të drejtave të njeriut dhe punëve të jashtme; gjykatat, shërbimet prokuroriale dhe organet mbikëqyrëse gjyqësore; strukturat e qeverisjes publike me përgjegjësi specifike në fushat përkatëse si ato kundër korrupsionit, kundër pastrimit të parave ose kundër trafikimit të qenieve njerëzore; Avokatin e Popullit, autoritetet e zbatimit të ligjit; institucionet penitenciare; profesionistë ligjorë; organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet arsimore. Ministritë e Punëve të Jashtme dhe/ose institucionet për Integrimin Evropian janë partnerët kryesorë në bashkërendimin e Instrumentit Horizontal.

 

Kush e koordinon Instrumentin Horizontal III?

Një mekanizëm koordinimi ndërmjet Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, Zyrave në terren të Këshillit të Evropës, Delegacioneve të Bashkimit Evropian/Zyrës së Bashkimit Evropian dhe të ashtuquajturve Koordinatorë të Përfituesve të Instrumentit Horizontal (zyrtarë të Ministrive të Punëve të Jashtme ose të Integrimit Evropian të emëruar nga autoritetet e Përfituesve në fjalë për të vepruar si pika qendrore për zbatimin e Instrumentit Horizontal) është krijuar për të siguruar një koordinim gjithëpërfshirës dhe të plotë midis Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, palëve të interesuara dhe partnerëve në juridiksionet përkatëse si dhe me organizata të tjera ndërkombëtare.

Ky mekanizëm koordinimi siguron sinergji me veprime të tjera ekzistuese dhe të planifikuara në rajon dhe do të sigurojë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme të Instrumentit Horizontal për përfituesit përfundimtarë dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe të Turqisë.

 

 

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.